Dy futbollistë të Makedonija Gj.P kanë rezultuar pozitiv me “Covid 19”, ndërsa e gjithë kjo ka bërë që kjo skuadër të anulojë dy ndeshjet e parapara miqësore kundër Rabotniçkit dhe Akademia Pandevit, njofton “infOSport.mk”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë klubi nga Gjorçe Petrovi, mirëpo duke mos bërë të ditur emrat e dy futbollistëve të infektuar.
Që të dy thuhet se ndodhen në shtëpi dhe janë në gjendje të mirë pa ndonjë simptom gjatë ditëve të kaluara. E gjithë kjo situatë e krijuar te skuadra “verdhekuq” nga Gjorçe Petrovi, ka bërë që futbollistët e tyre ti nënshtrohen edhe një testi tjetër javën që vjen, njëherit kërkesë kjo edhe nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, për gjitha klubet, që para se të fillojnë me miqësore, të bëjnë testet për “Covid19”.
Ndryshe ndeshjen e parë Makedonija Gj.P, duheshe ta zhvillojë sot (11.07) kundër Rabotniçkit, derisa ndeshja kundër Akademia Pandev në program ishte me datë 14 korrik. Në këtë mënyrë, nëse gjithçka do të jetë në rregull, ndeshjen e saj të parë Makedonija GJ.P do të duhet ta zhvillojë me 19 korrik kundër skuadrës së Korabit nga Dibra.