Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Xhimshiti është shndërruar në një pikë referimi në prapavijën e Atalantës. Teksa bergamaskët po konfirmohen në një tjetër sezon si pjesë e TOP4 skuadrave më të mira në Itali, ndërkohë që në Ligën e Kampionëve kanë eliminuar Valencian dhe janë në fazën çerekfinale.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka statistika tejet pozitive, jo vetëm në veprimet mbrojtëse, por ka tentativa edhe në vijën e parë të sulmit.
Sigurisht, kjo për vetë daljet e tij në goditjet standarde. Xhimshiti, krahas dy golave që ka shënuar këtë sezon në 26 ndeshjet e zhvilluara në kampionatin italian, numëron 19 goditje drejt portës kundërshtare.
Referuar numrave për rolin e tij, Xhimshiti ka gjithashtu merita. Ai ka koleksionuar 155 ndërhyrje të sakta apo ndërprerje të aksioneve nga ekipet kundërshtare në këtë edicion, prej të cilave 73 në duelet ajrore.