Ndoshta, emocioni që ka shoqëruar afrimin e një goditjeje që deri tani mund të quhet pa frikë blerja e verës, ka kapluar edhe punonjësit e mirëmbajtjes së uebsajtit të Bajernit të Mynihut.
Pavarësisht se zbarkimi i Leroi Sanesë në Gjermani ishte zyrtarizuar që të mërkurën në mbrëmje, dita e djeshme ishte e gjitha për kryerjen e vizitave mjekësore dhe firmosjen e kontratave me futbollistin dhe klubin e Mançester Sitit, por ja tek vjen një gabim që mund të ishte shmangur.
Drejtuesit e Bajernit të Mynihut e kishin parashikuar për ditën e sotme zyrtarizimin e lojtarit, të shoqëruar edhe me fotot e çastit që shoqërojnë përherë prezantimin, por gjithçka është zbuluar pa dashur që dje, në Arabinë e largët. Po, pikërisht kështu, sepse punonjësit e uebsajtit bavarez, pa dashur i kanë hedhur të gjitha fotot e Sanesë me bluzën e Bajernit, momentin e firmosjes së kontratës dhe pozimin me drejtuesit e lartë të klubit në versionin arab të faqes zyrtare, “FC Bayern.de/ar”.
Dhe në këtë mënyrë, e gjithë surpriza e planifikuar për ditën e sotme është paraprirë 24 orë përpara, ndonëse fotot në fjalë janë zhdukur menjëherë më pas. Por detaji në fjalë nuk mungoi që të shpërndahej me shpejtësi nga shumë faqe arabe, por as prestigjiozes “Bild” nuk i shpëtoi ky detaj, duke shpërndarë menjëherë edhe faksimilet e daljes së fotove.