Me 17 kartonë të verdhë brenda një sezoni, Klaus Gjasula ka vendosur një rekord të ri në Bundesliga.
Mesfushori shqiptar është bërë lojtari që ka marrë më së shumti kartonë të verdhë brenda një edicioni në elitën e futbollit gjerman.
Në përgjithësi 30-vjeçari shqiptar është ndëshkuar 132 herë me kartonë të verdhë gjatë karrierës së tij në 329 ndeshje të zhvilluara si profesionist.
E falë ndëshkimeve rekord të Gjasulës, “Transfermarkt.de” ka bërë zgjedhjen e 25 lojtarëve më të ndëshkuar në botë në 20 vitet e fundit.
Kapiteni i Real Madridit, Serhio Ramos është lider i padiskutueshëm sa i përket ndëshkimeve me kartonë të verdhë.
Spanjolli është ndëshkuar plotë 259 herë nga gjithsej 873 ndeshje që ka zhvilluar me skuadrat si Realin, Seviljën dhe Kombëtaren e Spanjës.
Pozitën e dytë me ndëshkime me të verdhë e mbanë meksikani Gerardo Torrado që është ndëshkuar 228 herë, ndërsa Dani Alvesh është në pozitën e tretë me 210 kartonë të verdhë.
Në mesin e më të ndëshkuarve ndodhet edhe kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana që ka marrë 162 kartonë të verdhë me klubet si Sanderlend, Marsejë, PSZH-në, Lacion, Galatasarajin dhe Nant si dhe me Kombëtaren “kuqezi”.