Ish futbollisti i Shkëndijës, Olsi Teqja, i cili së fundmi ishte pjesë e Kukësit, ka vendosur që ti jap fund aventurës së tij me skuadrën e njohur shqiptare, pasi ka vendosur që të vazhdojë karrierën në Europë, shkruan “infOSport.mk”.
Teqja, i cili pjesë e Shkëndijës ishte për plotë 1 vit (2017-2018), sipas mediave në Shqipëri është në bisedime me një ekip francez, emri i të cilit është preferuar të mbetet hermetik deri në përfundim të këtij sezoni futbollistik.
31-vjeçari Teqja ka një eksperiencë të madhe në kampionatin shqiptar, duke veshur fanellën e skuadrave, si: Kastrioti, Apolonia, Bylis, Laçi, Tirana, Kamza dhe Kukësi, derisa jashtë Shqipërisë ka luajtur vetëm me Shkëndijën.
Me Shkëndijën e Tetovës, Teqja numëron 21 paraqitje, ndërsa këtë sezon me Kukësin ishte aktivizuar në 27 ndeshje, 26 prej të cilave duke i nisur që nga minuta e parë.