Renova vazhdon ti besoj kontigjentit të futbollistëve që ka, ashtu që gjatë ditës së sotme nga ky klub kanë njoftuar vazhdimin e bashkëpunimit edhe me dy futbollistë të tjerë, njofton “infOSport.mk”.
Fjala është për Jasir Selmanin dhe mesfushorin difenziv nga Kosova, Alush Gavazaj, të cilët kanë nënshkruar kontrata të reja një vjeçare.
Kujtojmë Gavazaj te Renova erdhi nga rradhët e Vushtrrisë verën e vitit të kaluar, ndërsa edhe pse me prejardhje kosovare, i njëjti karrierën e tij e kishte nisur në Shqipëri, fillimisht te ekipi i Shkëndijës, që më pas të luaj edhe me Tiranën, Bylisin, Tërbinin dhe Korabin. Ndërkohë në Kosovë ai përveç me Vushtrinë kishte luajtur edhe me Feronikelin dhe Lirinë e Prizrenit.
Sa i përket Jasir Selmanit, ky i fundit Renovës iu bashkua verën e vitit të kaluar, kur erdhi nga ekipi i Gostivarit, ndërsa paraprakisht bëri një karrierë ndërkombëtare duke luajtur në Kosovë, Norvegji dhe Danimarkë.
Ai gjatë sezonit të shkuar për shkak të një operimi në këmbën e djathtë, luajti në vetëm 8 ndeshje, mirëpo drejtuesit e Renovës me në krye trajnerin Islami besojnë në kualitetet e këtij futbollisti, i cili pritet që të ndihmojë skuadrën edhe në arenën ndërkombëtare.
Kujtojmë Renova këtë vit do të prezantojë vendin tonë në garat e Liga Europa.