Skuadra e Borecit pas vazhdimit të kontratës me gardianin shkupjan, Burhan Mustafa, ka arritur që të bëjë për vete edhe dy futbollistë të rinj. Siç mëson “infOSport.mk”, skuadra nga Velesi ka nënshkruar kontrata profesionale me mbrojtësin Stojan Stojçevski dhe sulmuesin Mario Stankovski.
Stojçevski te skuadra nga Velesi vjen nga rradhët e Bregallnicës së Shtipit, derisa Mario Stankovski erdhi nga rradhët e skuadrës së Sasa nga Kamenica.
27-vjeçari Stojçevski ka një eksperiencë të madhe në futbollin elitarë, aty ku ka mbrojtur ngjyrat e skuadrave si Rabotniçki, Akademia Pandev, Sileks, Vardar, Horizont Turnova, ndërsa gjithashtu ka mbrojtur edhe ngjyrat e skuadrave të Teteksit, Ljubancit dhe Skopjes. Stojçevski numëron 101 ndeshje në Ligën e Parë, ndërsa sa i përket Mario Stankovskit, bëhet fjalë për një sulmues të talentuar, i cili hapat e tij të parë i ka bërë me skuadrën e Rabotniçkit, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me fanellën e Teteksit, Tikveshit dhe Gostivarit.
20-vjeçari i lindur në Berlin të Gjermanisë në elitën e futbollit vendor numëron 9 ndeshje, ndërsa me Rabotniçkin në vitin 2017-të si 17-vjeçar kishte debutuar në ndeshjet e Liga Europa.
Mirëpo këtu nuk është fundi i listës së futbollistëve që mund ti bashkohen Borecit, drejtuesit e së cilës skuadër i kanë vënë syrin edhe mesfushorit të Tikveshit, Marjan Ristevski.