Futbolli në Maqedoninë e Veriut mbeti i paralizuar nga pandemia me CoVid-19 që krahas pauzës së detyrueshme thuajse tre mujore, javën e shkuar rezultoi me ndërperje përfundimtare të sezonit garues 2019/2020 nga ana e Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Një vendim që krahas pakënaqësisë së disa klubeve, gjithsesi se kënaqi një pjesë bukur të mirë të skuadrave dhe opinionit apo edhe atyre që gjithë kohën kritikonin e sugjeronin se në vendin tonë nuk ka kushte për të vazhduar ky sezon. Këtë qëndrim publikisht e shprehte edhe kryetari i Sindikatës së futbollistëve të Maqedonisë, Pançe Qumbev. Por mbetet dilemë e madhe se sa ishte i sinqertë ky qëndrim i njeriut që drejton subjektin që “pretendon” të mbrojë të drejtat e futbollistëve?! Për ironi dhe çudi kur FFM ende nuk kishte dalë me qëndrim rreth vazhdimit të sezonit, pikërisht Qumbev pretendonte se shtëpia e futbollit vendor vonohej me vendimin, madje duke ironizuar në profilin e tij në facebook me një postim më 6 maj ku potenconte se në Kroaci, Serbi, Gjermani dhe thuajse gjithandej në Europë do të vazhdonte futbolli, ndërsa me një pikëpyetje pas emrit të Maqedonisë shpreh çudinë e tij se këtu nuk ndiqej ky “trend”!
E kur FFM më vonë do të vendoste për vazhdim të garave në elitën vendore, pikërisht ky president i Sindikatës së futbollistëve në gjitha daljet e tij në media potenconte se nuk ka kushte në vendin tonë për të vijuar kampionati. Mbetet dilemë se çka e shtyu Pançe Qumbevin të ndryshonte qëndrimin e tij? Apo ndoshta ka tendecë për të qenë në kahje të kundërt me Federatën?!
Të ndalemi pak te Pançe Qumbev dhe Sindikata “e tij”!
Po të futesh në veb faqen e Sindikatës së futbollistëve të Maqedonisë, e para që do të vëresh është mungesa e gjuhës shqipe edhe pse krahas maqedonishtes gjeni edhe versionet në gjuhën angleze, frënge dhe spanjole! Duke pasur të antarësuar futbollistë shqiptarë në Sindikatë, me katër klube shqiptare në Ligën e Parë dhe duke pasur statusin e gjuhës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, “mbrojtësi i të drejtave” të futbollistëve nuk sheh të arsyeshme që shqipja të jetë në faqen zyrtare të Sindikatës!
Storie në vete mbetet fakti që Qumbev i cili pretendon të “luajë” rolin e mbështetësit të të drejtave të futbollistëve në vend, duket se nuk është i pavarur nga orientimet politike, duke dalë publikisht përmes postimeve në rrjetet sociale kundër integrimit të vendit në Bashkimin Europian!
Duke u futur në analizë shumë pyetje dhe dyshime lindin rreth këtij njeriu dhe këtij subjekti?!
Pançe Qumbev, njeriu që drejton Sindikatën me zyrë në Veles e jo në Shkup dhe që nuk dihet se si erdhi në krye të këtij subjekti, si u formua, kush e zgjodhi kryetarë dhe sa është legjitim?!
Enigmë mbetet pse Qumbev dhe tre bashkëpunëtorët e tij duke ditur se do të përfaqësojnë edhe futbollistë shqiptarë, nuk e panë të rrugës të kërkojnë të paktën një ish-futbollist shqiptarë për ta pasur si pjesë e sindikatës që do të mbronte të drejtat e futbollistëve?!
Qumbev që fillimisht pyetej pse nuk nis futbolli në vendin tonë, e që më vonë sugjeronte se nuk ka kushte për të vijuar kampionati, përmes fondeve arriti të siguronte mjete për testimin e klubeve të Ligës së Parë për virusin CoVid-19, “drejtësinë” e tij e manifestonte dukshëm kur para se të njoftonte klubet, me urdhëra përmes telefonit lajmin për raste pozitive në CoVid-19 te skuadrat e Shkëndijës dhe Renovës e shpërndante në media, madje edhe duke u prononcuar me deklaratë! Mungon një transparencë se ku merren mjetet apo donacionet për siguimin e testeve që skuadrave të Ligës së Parë u ‘serviren’ gratis, me çka në një mënyrë vihet në dyshim ‘legjitimiteti’ i këtij subjekti.
Ka edhe shumë për tu shtuar, por mbase kjo që u tha më lartë e shoqëruar me fakte mjafton për një analizë të mirëfilltë se subjekti në fjalë dhe njeriut që qëndron në krye të Sindikatës duhen marrë me shumë dyshim nga futbollistët dhe klubet në përgjithësi.
Kjo që themi është përgjegjësi e organeve kompetente në vend, që duhet analizuar dhe investiguar veprimtarinë e Sindikatës, gjithnjë me qëllim mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të vërteta të futbollit në Maqedoninë e Veriut.