Juventusi është skuadra e parë finaliste e edicionit të 73-të të Kupës së Italisë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e Mauricio Sarrit sonte në ndeshjen e kthimit të ½ së finales kundër Milanit luajti baraz pa gola, gjë kjo që ju mjaftoi “bardhezinjëve” për të prekur finalen e madhe, aty ku do të presin fituesin nga përballja midis Napolit dhe Interit.
Juventusi deri në finalen e madhe arriti falë golit të shënuar në transfertë në ndeshjen e parë në “San Siro”, ndeshje që ishte mbyllur me shifrat 1:1, ndërsa sonte shumë pranë golit ishte edhe Kristiano Ronaldo, mirëpo portugezi në minutën e 16-të humbi penalti.
Vetëm një minutë më pas, në anën tjetër Ante Rebiç u ndëshkua me të kuq, duke i vështirësuar punët e skuadrës nga Milano, që në këtë mënyrë pa sulmuesin e saj kryesor nuk mund të shpresonte shumë në vazhdim të takimit.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale midis Napolit dhe Interit në program është nesër mbrëma me fillim në ora 21:00 në “San Paolo”. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Xhuzepe Meaca”, Napoli i Elif Elmaz dhe Elseid Hysajt kishte shënuar fitore minimale 1:0.