Muarem Muarem edhe zyrtarisht pjesë e  Rabotniçkit

Muarem Muarem më në fund do ti rikthehet futbollit. Ai gjatë ditës së sotme ka firmosur kontratë një vjeçare me Rabotniçkin, për të cilën skuadër kishte luajtur edhe në të kaluarën, njofton “infOSport.mk”.

Shkupjani skuadrës nga Parku i Qytetit do ti bashkohet vetëm me 24 korrik, atëherë kur do ti përfundojë dënimi për shkak dopingut, ndërsa deri atëherë Muarem Muarem do të vazhdojë të stërvitet individualisht.

“Jam shumë i lumtur që pas dy viteve do ti rikthehem futbollit. Mund të them se është si të fillosh prej fillimit me futboll. Vërtetë më ka marrë malli shumë për tu stërvitur në grup me futbollistë të tjerë. Unë më shumë se një vit stërvitem individualisht, ashtu që mendoj se do kthehem edhe më i fortë, pasi futbolli nuk harrohet, ajo është dashuria ime e madhe pa të cilën nuk mund të jetojë” – tha fillimisht Muarem Muarem, i cili  fanellën e Rabotniçkit do ta veshë për herë të tretë në karrierën e tij.

“Klubin e Rabotniçkit e njoh shumë mirë, gjithashtu edhe njerëzit që punojnë aty. Kjo është hera e tretë që do të luaj me këtë skuadër, ashtu që nuk besoj se do të kem problem për tu adaptuar shumë shpejtë” – u shpreh Muarem Muarem, i cili ka një karrierë shumë të bujshme, duke luajtur edhe jashtë vendit me skuadrat si OrduSpor, Eskishehirspor (Turqi), Karabag (Azerbejxhan), Aktobe (Kazakistan), Flamurtari (Shqipëri), derisa në Maqedoni, përveç me Rabotniçkin kishte luajtur edhe me Teteksin dhe FC Shkupin.

 

Leave a Reply