Ballkani dhe Gjilani nuk fitojnë, Drita e Ardian Nuhiut mban bajrakun në Superligën e Kosovës

Kanë përfunduar me barazime dy takimet e para të së dielës, të vlefshme për javën e 23-të në Superligën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse Ballkani shihej si favoritë absolut në ndeshjen si vendas përballë  Drenasit, në fund skuadra e Ismet Munishit nuk arriti të gjejë rrjetën e drenicakëve, që ju bënë ballë sulmeve të futbollistëve vendas, dhe në fund nga Theranda u larguan me rrjetë të paprekur dhe një pikë të madhe.

Me barazim, mirëpo me nga një gol të shënuar në të dyja anët u mbyll takimi midis Gjilanit vendas dhe skuadrës nga Mitrovica, Trepça ’89. Fiton Hajdari nga pika e bardhë në minutën e 40-të kaloi në epërsi gjilanasit, ndërsa për barazimin e skuadrës mitrovicase, u përkujdes Arb Manaj me golin e shënuar në minutën e 53-të.

Pas këtyre barazimeve, Ballkani dhe Gjilani kanë humbur nga një pozitë në renditje, duke i bërë një nder Dritës së Ardian Nuhiut, që dje mundi Flamurtarin dhe tashmë e vetme me 46 pikë, një më shumë se Ballkani udhëheq vallën në elitën e futbollit kosovar, transmeton “infOSport.mk”.

Bazuar edhe në rezultatin momental nga ndeshja që po zhvillohet në Prishtinë, aty ku skuadra kryeqytetase e Prishtinës po avanson me shifrat 8:1 ndaj Ferizajit kur kanë mbetur edhe 10 minuta lojë, Gjilani tashmë do të renditet në pozitën e katërt me 42 pikë, teksa Prishtina me 44 pikë do të depërtojë në pozitën e tretë. Vërtetë garë e ngushtë në luftën për titullin kampion në Kosovë, aty ku deri në fund të sezonit do të zhvillohen edhe 10 xhiro.

Leave a Reply