Llapi rifllimin e sezonit aktual në Superligën e Kosovës, që ishte ndërprerë për më shumë së dy muaj për shkak të virusit korona, e ka nisur në mënyrën më të mirë. Skuadra e trajnerit Tahir Batatina në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë mundën Dukagjinin, me rezultat 4:1, duke bërë një hap të madh në garën për të siguruar një vend që çon në Evropë.
Llapjanët fitoren në këtë ndeshje e paralajmëruan vetëm pas 3 minutave lojë, kur Prenci shënoi për 1:0, rezultat, ky i 45 minutave të para.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë edhe më interesante, e cila solli edhe katër gola.
Kastriot Selmani vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë dyfishoi avantazhin e llapjanëve (2:0), mirëpo tre minuta më vonë Mulaj ngushtojë epërsinë në 2:1. Rezultatin në 3:1 e ngriti Ymeri në minutën e 68-të, ndërkohë goditjen e fundit skuadrës mike ia dha Deliu (90+3’), duke realizuar golin e katërt për nikoqirët.
Pas kësaj fitore, Llapi tashmë numëron 37 pikë dhe ngjitët në vendin e pestë, kurse, Dukagjini është e fundit me vetëm 10 pikë të tubuara.