Verder Bremeni ka pësuar një disfatë të rëndë 0:3 përballë Ajntraht Frankfurtit në ndeshjen e mbetur të javës së 24-të, duke bërë një hap prapa në luftën për mbijetesë në Bundesligë.
Ylli i përfaqësueses së Kosovës në këtë ndeshje në lojë u inkuadrua vetëm në 30 minutat e fundit të takimit, kjo edhe për shkak të një dëmtimi që pësoi në ndeshjen e fundit kundër Shalke 04, kur arritën një fitore të madhe si mysafir me rezultatin 1:0.
Megjithatë kur mendohej se sonte do të arkëtonin 3 pikë të tjera dhe do të largoheshin nga pozita e parafundit, duke kapur atë të balotazhit, një gjë e tillë nuk ndodhi, përkundrazi Ajntrhati zhvilloi një super ndeshje, duke siguruar fitoren pikërisht në 30 minutat e fundit të takimit.
Andre Silva në minutën e 61-të shënoi golin e avantazhit, gjë kjo që shtyu trajnerin e Verderit të reagojë menjëherë, duke inkuadruar në lojë Rashicën, mirëpo edhe futbollisti kosovar nuk arriti të ndryshojë kahjen e lojës, ashtu që deri në mbyllje Ajntrahti falë dopietës së Ilsanker (81′ dhe 90′), në fund nga Bremeni u largua me një fitore të madhe.
Me këtë fitore skuadra nga Frankfurti ndodhet në pozitën e 11-të me 35 pikë, ndërkohë Verder Bremeni me 10 pikë më pak renditet si e parafundit në Bundesligë.