Fisnik Saliu, talenti shqiptarë që pritet të shpërthejë së shpejti

Futbolli vazhdon të jetë dashuria e parë për shumicën e të rinjëve në vend. I tillë është rasti edhe me talentin 18-vjeçar të Vardarit, Fisnik Saliu, i cili rrjedhë prej një familje futbollistike, shkruan “infOSport.mk”.

Fisniku ndryshe është djali i vëllait i punëtorit të madh sportiv, trajnerit të grupmoshave të reja, Bedri Saliu. Pikërisht te xhaxhai i tij, Fisniku kishte bërë hapat e parë të futbollit, ndërsa falë talentit të tij ai në moshë 14-vjeçare u transferua te Vardari, aty ku po lënë gjurmë me asistet dhe golat e tij.

Ndërkohë në zhvillimin e tij si futbollistë një meritë shumë të madhe ka edhe skauti dhe njëherit menaxheri kryesor te KF Skupi, Urim Saliu, së bashku me bashkëpuntorin e tij, Lavdrim Saliu, mirëpo gjithnjë duke mos harruar këtu edhe trajnerët e tij, Filip Despotovski dhe Filip Ivanovski, si dhe trajnerin kondicional, Sasho Golubiç, i cili së fundmi e ka ndihmuar shumë këtë talent për tu ngritur në aspektin fizik, duke e përgatitur kështu dalë nga dalë edhe për në ekipin e parë.

Për më të tepër Saliu bazuar në performancat e tij shëndetësore, rezulton si një ndër futbollistët e rrallë që ka një kapacitet të lartë të mushkërive (VO2 MAX – 65ml/kg/min), gjë kjo që e bënë atë më të dalluar edhe në terren me vrapimet e tij dhe kondicionin që ka, ndërsa dihet se në futbollin modern futbollistët e këtillë depërtojnë shumë më lehtë në skuadër dhe tërheqin vëmendjen e trajnerëve të futbollit, transmeton “infOSport.mk”.

Megjithatë ana kondicionale nuk është arma e tij e vetme, pasi edhe pse luan si sulmues i krahut të majtë, ai dallohet edhe me asiste dhe gola, por edhe me goditjet nga dënimi. E kur një futbollistë i ka gjitha këto performanca, nuk ka se si të mungojë edhe ftesa për në kombëtare. Fisnik Saliu aktualisht është pjesë e përfaqësueses U18 të Maqedonisë, ndërsa gjithashtu me mjaft sukses mbron ngjyrat edhe të ekipit të të rinjëve të Vardarit (gjenerata 2002), për të cilën skuadër edicionin e fundit, edhe pse nuk u zhvillua në tërësi, arriti shifrën e 9 golave të shënuar.

Shpresojmë që së shpejti këtë talent ta shohim edhe me ekipin e parë të Vardarit, edhe pse që tani nuk mungon interesimi edhe nga ekipe jashtë vendit, e ku fjalën kryesore në këtë drejtim e ka edhe menaxheri i tij, Urim Saliu.

Leave a Reply