Skuadra e Liverpullit ka bërë një veprim të fuqishëm në përkrahje të lëvizjes “Black Lives Matter” gjatë stërvitjes së mbajtur gjatë ditës së sotme në “Enfilld Roud”.
Të gjithë futbollistët kanë vënë njërin gju në tokë dhe janë vendosur në rrethin e mesit të fushës, ndërsa janë kthyer në të njëjtën anë.
Lojtarët kanë mbajtur fanella të klubit me ngjyra të ndryshme.
Xheorxhinio Vijnaldum ka shpërndarë fotografinë në rrjete sociale, duke shkruar: “Uniteti është forcë”.
Ndryshe ishte kjo seanca e parë stërvitore e skuadrës së plotë të Jurgen Klop në “Enfilld Roud”, që kur sezoni në Premierligë është pezulluar në mars për shkak të pandemisë “Covid 19”.
Futbollistët vendosën të ndërpresin stërvitjen dhe të bëjnë fotografinë e fuqishme, ka shkruar “Daily Mail”.
Liverpulli bëhet ekipi i parë në Premierligë që në mënyrë kolektive ofron përkrahje për lëvizjen që mbështet afroamerikanët. Ndërkohë edhe një numër i madh i sportistëve elitarë kanë ofruar përkrahje që kur Xhorxh Flojd vdiq një javë më parë për shkak të brutalitetit të policëve në SHBA.
Markus Rashford dhe Xhadon Sanço kanë kërkuar drejtësi pas vdekjes së afroamerikanit Flojd, ndërsa edhe fotografia e skuadrës së Liverpullit, që u shpërnda njëkohësisht edhe nga futbollistë të tjerë, ka bërë bujë të madhe nëpër media të ndryshme botërore.