Ardian Nuhiu flet për kontratën e re me Dritën: Kënaqësi të jesh pjesë e kësaj familje

Ardian Nuhiu ka vazhduar bashkëpunimin me Dritën e Gjilanint edhe për dy vite të ardhshme, njofton “infOSport.mk”. Strategu shkupjan ka pranuar ofertën e drejtuesve të klubit gjilanas për të rinovuar kontratën, teksa në një prononcim për faqen tonë, ai nuk fshehu kënaqësinë që do vazhdojë të jetë pjesë e kësaj familje të madhe “bardheblu” nga Gjilani, që pas vetes ka një kryesi të mrrekullueshme.

“Jam shumë i lumtur. Është kënaqësi të jesh pjesë e kësaj familje, një klub i organizuar dhe mjaft profesional! Për një trajner është me rëndësi të gjejë përkrahjen nga udhëheqesit dhe të ketë mbështetjen e tifozëve. Ende ndjej kënaqësi të jemi  bashkë me këta futbollist dhe të vazhdojmë të  punojmë, të përmirësohemi edhe më shumë për të arritur objektivat e rradhës bashkë me stafin tim dhe skuadrëën” – u shpreh fillimisht Ardian Nuhiu, i cili falënderoi kryesinë e klubit për besimin e dhënë.

“Dua të falemenderojë presidencën, Valon Murselin dhe Flamur Bunjakun për vlerësimin e punës dhe vazhdimin e bashkëpunimit tonë profesional. Korrektësia e tyre që kanë ndaj secilit anëtarë të klubit edhe në kohët më të vështira, siç ishte kjo e pandemisë, ku na qëndruan mbrapa në çdo aspekt, gjithashtu edhe qasja profesionale dhe vizioni që presidentat kanë për klubin, ka bërë që edhe në kohë pandemie të kenë qëllim ruajtjen dhe vazhdimin e synimeve për një klub t madh dhe europian” – tha Nuhiu, duke shtuar: “Me një udhëheqësi tejet profesionale dhe shume bashkëpunuese, normalisht se qëllimet janë lehtë të arritshme per çka jam edhe shumë falënderues!” – deklaroi Nuhiu, i cili njëherit porositi se historia e tyre si klub ende është në zhvillim dhe se me padurim pret ngjarjet e ardhshme, përfshirë këtu edhe vazhdimin e sezonit aktual, ku Drita e Gjilanit është në garë të ngushtë për titullin e kampionit me Ballkanin, mirëpo edhe me rivalët lokal të Gjilanit.

Kujtojmë Drita pas 22 xhirove të zhvilluara mban pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit me 43 pikë, vetëm një më pak se liderët e Ballkanit.

Deri në fund të sezonit 2019/2020 në Superligën e Kosovës do të zhvillohen edhe 11 ndeshje, ndërsa Drita e Ardian Nuhiut do ta rinis me ndeshjen kundër Flamurtarit, që në program është me datë 7 qershor.

Leave a Reply