Superliga shqiptare më në fund ka marrë “dritën jeshile” për të ristartuar pas ndërprerjes si pasojë e koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë ditës së djeshme dha lajmin se nga data 1 qershor do të lejohen aktivitetet sportive, duke bërë që të kuptohet se skuadrat e Superiores do të zbresin në fushë ashtu edhe siç kishin planifikuar më parë, më datë 3 qershor për të luajtur javën e 27.
Kështu, skuadra kryesuese e Tiranës do të ketë një transfertë të vështitrë përballë Bylisit në Ballsh. “Bardheblutë” kërkojnë të shmangin hapat fals për të ruajtur kryesimin me 9 pikë ndaj Kukësit, ndërsa një sukses do t’iu siguronte një moral të lartë për vazhdimësinë.
Ndërkohë, skuadra nga Verilindja e Shqipërisë, Kukësi si vendas do të përballet me Luftëtarin. Flamurtari në Vlorë do të jetë nikoqir i Vllaznisë së Mevlan Adilit, Laçi do të mirëpret Teutën, me gjitha këto ndeshje që do të nisin në ora 17:30, ndërkohë ndeshja e fundit, dhe njëherit derbi i kësaj jave që do të startojë në ora 20:00 do të zhvillohet në Tiranë, ku Partizani do të mirëpret Skënderbeun. Një sfidë kjo për Europën duke qenë se që të dyja skuadrat e kanë këtë objektiv kryesor të sezonit.