Futsal Club “Arben Bajrami” sezonin e ardhshëm do të garojë në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Kjo u bë e ditur gjatë ditës së sotme, pasi Këshilli Drejtues pranë FFM-së vendosi që ti anulojë të gjitha garat e saja, përveç Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë. Kësisoj edhe Liga e Dytë e Futsalit u mbyll aty ku mbeti me Futsal Club “Arben Bajramin” në pozitën e parë, skuadër kjo që automatikisht, bazuar në renditjen momentale, së bashku edhe me Kegi Mobi Veles fitoi të drejtën që edicionin e ardhshëm të garojë në Ligën e Parë të Futsalit, që sezonin 2020/2021 do të numërojë 12 skuadra.
Këtë lajm e kanë mirëpritur të gjithë nga tabori i Futsal Club “Arben Bajrami”, e në veçanti, njëri ndër më të merituarit, Taulant Ismaili, i cili edicionin e kaluar vendosi që të largohej nga kampionët e Futsal Shkupit dhe ti bashkohet skuadrës më të re në futsalin vendor.
“Edhe pse zyrtarisht nuk ka kampion, ndjehemi shumë të lumtur, pasi që ëndërra dhe qëllimi ynë primarë u bënë realitet. Tashmë duhet të përgatitemi dhe të fokusohemi për në ligën e parë, aty ku do të jetë një sfidë mjaftë e vështirë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Taulant Ismaili.
Kujtojmë Futsal Club “Arben Bajrami” u themelua në vitin 2019-të, ndërsa që në sezonin e saj të parë garues në Ligën e Dytë, arriti që të sigurojë një vend në mesin e më të mirëve në futsalin vendor, duke iu bashkuar në këtë mënyrë edhe 3 skuadrave tjera shqiptare, Futsal Shkupit, Juventus Seravës dhe Futsal Karadakut.