Drejtuesit e Beshiktashit kanë nisur të projektojnë skuadrën për sezonin e ri të Superligës së Turqisë.
Trajneri i “Shqiponjave të Zeza” nga Stambolli, Sergen Jallçën, tashmë i di pikët e dobëta të ekipit që e morri ta drejtojë muaj më parë pas shkarkimit të Abdullah Avçi.
Siç raporton mediumi sportiv turk, “Fotomaç”, Jallçën po kërkon që të përforcojë radhët e veta me disa emra të rinj, ndërsa një ndër emrat që pëlqehet nga ana e tij, është edhe reprezentuesi i Kosovës, Fidan Aliti.
Ky i fundit me mjaft sukses po paraqitet te klubi suedez i Kalmarit, ndërsa në formë shumë të lartë i ka zhvilluar edhe ndeshjet me përfaqësuesen e Kosovës në kuadër të eliminatoreve për Euro 2020, por gjithashtu edhe në kuadër të Ligës së Kombeve, ku përmes ndeshjes me Maqedoninë fillimisht në gjysmëfinale, do të kërkojë vizën për në Europianin e ardhshëm të futbollit.
Aliti te skuadra suedeze u transferua shkurtin e vitit të kaluar nga rradhët e Skënderbeut, ndërsa i njëjti me përfaqësuesen “dardane” numëron 18 paraqitje, ndërsa kujtojmë që 2 paraqitje ka bërë edhe me kombëtaren e Shqipërisë.
Beshiktashi në 26 xhirot e deritanishme të zhvilluara në Superligën turke, numëron 44 pikë, duke u renditur në pozitën e 5-të, ndërsa piksynim kanë TOP4, që do ju siguronte atyre një vend në ndeshjet e Liga Europa për sezonin e ardhshëm, ku pretendojnë të krijojnë një skuadër të fuqishme, që do të luftonte edhe për titullin kampion në Turqi.
Kujtojmë Superliga turke tashmë edhe zyrtarisht do të startojë me 12 qershor, ndërsa ndeshjen e parë Beshiktashi do ta zhvillojë kundër Antalyaspor.