Ardian Nuhiu i lumtur për rikthimin, flet edhe për rastin e Eminit

Superliga e Kosovës tashmë ka marrë “dritën jeshile” nga Ministria e Shëndetësisë për rikthmin në fushat e blerta, ndërsa prej dje skuadrës së Dritës i janë bashkuar edhe futbollistët nga Maqedonia e Veriut, me në krye trajnerin Ardian Nuhiu. Ai në një prononcim për “infOSport.mk” u shpreh mjaft i lumtur që më në fund do të rifillojë futbolli, profesion që e dashuron me shumë zemër.

“Jam shumë i lumtur që jemi kthyer në stërvitje, më kanë munguar futbollistët dhe stërvitjet. Të gjithë ata që dojnë sport, unë besoj se janë dakord për nisjen e futbollit, por pa rrezikuar jetën e askujt” – u shpreh fillimisht Ardian Nuhiu, i cili foli edhe për rastin e Izair Eminit, futbollistit tetovarë, i cili rezultoi pozitiv në testin për “Covid 19”.

“Jemi të shqetësuar me rastin e Eminit dhe mendoj se ka qenë një vendim i përshpejtuar për të shkuar drejtë e në stërvitje pa bërë testimet për ‘Covid 19’ dhe pastaj të ndodhte grumbullimi. Mendoj se duhet federata të ndërmerrë një hap për të testuar të gjithë, sepse mendoj se do të ishte edhe nje çlirim psikologjik për komitetin e futbollit” – deklaroi Nuhiu.

Edhe pse skuadra nuk ka mundur të punoj deri më tani në mënyrë kolektive për shkak pandemisë “Covid 19”, Nuhiun e gëzon fakti se gjithësecili ka punuar individualisht sipas mundësive. Megjithatë ai pranon se stërvitjet individuale dallojnë nga ato në grup, ashtu që gjendjen reale të futbollistëve do ta mësojë ditëve në vijim.

“Me futbollistët kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, ata gjatë gjithë kohës janë stërvitur në mënyrë individuale, me aq sa kanë pas hapsirë, sepse siç e dimë kanë qenë edhe me kohën të kufizuar. Gjendjen e tyre do ta mësojmë ditëve në vijim kur do ti testojmë. Dallon shumë stërvitja individuale me atë në grup. Ata mund të jenë mirë me formën fizike, por jo edhe me atë sportive, sepse  kanë munguar ndeshjet dhe stërvitjet me grup” – përfundoi Nuhiu.

Leave a Reply