Federata e Futbollit e Kosovës ka arritur marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me kthimin e futbollistëve në Kosovë, të cilët aktualisht ndodhen jashtë vendit.
Futbollistët duhet që t’i bëjnë testet në vendet ku ndodhen, ndërsa një gjë të tillë gjatë ditës së sotme kanë bërë edhe anëtarët e Dritës së Gjilanit te spitali privat “Sistina”.
Siç dihet testet nuk duhet të jenë më të vjetra se 72 orë, dhe pastaj klubi duhet që ta dërgojë një email në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, dhe pasi të marrin leje, futbollistët pa problem mund të kalojnë në pikat kufitare pa patur nevojë që të karantinohen.
“Po, Kosova ka marrë dritë jeshile për rifillimin e kampionatit dhe prej sot ekipi jonë i Drites ka fillu me stërvitje normale, kurse ne që jemi nga Maqedonia sot kemi bërë testin e “Covid-19” dhe po presim rezultatet. Nëse gjithçka do të jetë në rregull, atëherë që nesër mund të bashkangjitemi me pjesën tjetër të grupit” – tha enkas për “infOSport.mk”, Izair Emini.
Përveç Eminit, pjesë e Dritës nga Gjilani nga Maqedonia e Veriut, janë edhe trajneri Ardian Nuhiu, portieri Darko Tofiloski, Ardian Cuculi, Lirim Mema dhe Bunjamin Shabani.
Kujtojmë Drita e Ardian Nuhiut pas 22 xhirove ka grumbulluar 43 pikë, vetëm një pikë më pak se kryesuesit e Ballkanit, ashtu që në 11 xhirot e mbetura do të kemi një luftë të ashpër për titullin e kampionit në Kosovë.