Një tjetër klub nga Premierliga angleze është vënë pas Marash Kumbullës. Talenti “kuqezi”, i cili aktualisht është pjesë e Veronës në “Serie A”, pa dyshim se është njeriu i merktaos edhe në këtë periudhë pandemie kur futbolli është i pezulluar në pjesën më të madhe të shteteve.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja angleze, “Mirror”, pas skuadrave si Mançester Junajted, Totenham, Everton dhe Çelzi, tashmë për shërbimet e reprezentuesit shqiptarë po interesohet edhe Arsenali londinez.
Në artikullin e medias britanike shkruhet: “Arsenali në garën për transferimin e Marash Kumbullës, i krahasuar me Kielinin e ri”.
Marash Kumbulla ndërkohë kërkohet edhe nga Interi, Lacio dhe Napoli në Serie A, kurse emri më i lakuar në Gjermani është RB Lajpcig.
Mbrojtësi shtatlartë ka spikatur në Itali këtë sezon me Veronën, drejtuesit e së cilës skuadër janë të gatshëm për ta shitur dhe për të përfituar një shumë të majme. Shuma të cilën e kërkon Verona për shitjen e talentit shqiptarë, kap shifrën e 30 milion eurove.