Borusia Dortmundi ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Shalke 04 në javën e 26-të në Bundesligë, javë e cila shënoi edhe rikthimin e futbollit gjerman, pas një pauze të detyrueshme shkaku i përhapjes së koronavirusit. “Milionerët” në stadiumin e tyre të zbrazët “Sinjal Iduna Park” shënan fitore 4:0, duke vazhduar ritmin e fitoreve, që njëherit ishte e 5-ta rradhazi në Bundesligë.
Rafael Guereiro shkëlqeu në këtë ndeshje me dy gola të shënuar, teksa nga një gol shënuan edhe Erling Haaland dhe Thorgan Hazard.
Borusia Dortmund me këtë fitore tashmë numëron 54 pikë, vetëm një pak se skuadra kryesuese e Bajern Munih, që ndeshjen e kësaj jave e zhvillon nesër (e diel) ndaj Union Berlinit.
Një fitore tjetër të pastërt si mysafir, morri Herta Berlin, që mundi Hofenhajmin. Skuadra nga Berlini shënoi fitore 3:0, me të tre golat e shënuar gjatë pjesës së dytë.
Lajpcigu dhe Frajburgu u ndanë me barazim (1:1), ndërsa me barazim, mirëpo pa asnjë gol të shënuar u mbyll edhe takimi midis Fortuna Dyzeldorfit të Valon Berishës dhe Paderborni të Klaus Gjasulës.
Ndërkohë një fitore të madhe në transfertë realizoi edhe Volfsburgu i Admir Mehmedit, që mundi Ausgburgun me shifrat 2:1, edhe atë falë golit të shënuar nga Ginçek në minutën e 91-të.
Ndeshja e fundit e së shtunës në kuadër të javës së 26-të në Bundesligë, është ajo midis Ajntrahtit të Frankfurtit dhe Borusia Menhengladbahut, që starton në ora 18:30.