Ende nuk ka një datë të saktë për zhvillimin e ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kombeve midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Me shumë mundësi ndeshja do të luhet në tetor, ndërsa gjasat janë të mëdha që deri atëherë kapiteni i përfaqësueses së vendit tonë, Goran Pandev t’i jap fund karrierës.
36-vjeçari Goran Pandev, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Xhenoas në “Serie A”, ka paralajmëruar pensionimin pas përfundimit të edicionit aktual.
Pandev vlerësohet si një ikonë te përfaqësusja e Maqedonisë së Veriut, për të cilën ka numrin më të madh të ndeshjeve të zhvilluara, e po ashtu edhe numrin më të madh të golave për këtë përfaqësuese.
Ai me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë kishte debutuar me 6 qershor të vitit 2001 në ndeshjen kundër Turqisë, derisa deri më tani numëron 108 ndeshje dhe 34 gola të shënuar.
“Unë ende e kam ndërmend të shptëojë Xhenoan dhe më pas të ndalem. Tani shpresoj që kjo situatë do të përfundoj dhe më pas do të shohim. Unë do të doja të përshëndes njerëzit e Xhenoas në një stadium të mbushur. Kam dhënë çdo gjë për këtë fanellë”, – ka thënë Pandev për “Corriere dello Sport”.
“Ne vërtetë duam të kthehemi në fushë pasi futbolli është jeta jonë. Mezi presim që t’i shohim të gjithë sërish. Para së gjithash shpresojmë që jeta të kthehet në normalitet. Ende nuk është koha të mendojmë për futbollin”, ka shtuar Pandev.
Më herët Pandev kishte thënë se mund të shtyjë pensionimin për një vit që të realizoj ëndrrën për të luajtur me Maqedoninë e Veriut në një turne të madh. Maqedonia e Veriut ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe, ndërsa pikërisht kundër Kosovës sheh atë mundësi të artë.
Kujtojmë fituesi i ndeshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luajë në finalen e madhe të Ligës D të Kombeve, aty ku do të pret fituesin nga përballja tjetër gjysmëfinale midis Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, teksa fituesi përfundimtarë do të pret biletën për në Euro 2021.