Qeveria britanike gjatë kësaj jave pritet të japë pëlqimin për rifillimin e sezonit 2019/2020 në Premierligë. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, një gjë e tillë mund të ndodh më 12 apo 13 qershor.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson do t’i zbulojë sot në Parlament hollësitë e udhërrëfyesit për të dalë nga izolimi, ndërsa gazeta zyrtare me vendimet për sportet elitare do të publikohet të martën.
Sipas gazetës “Telegraph”, qeveria ka vendosur ta japë dritën e gjelbër për rikthimin e sporteve elitare muajin e ardhshëm, përfshirë Premierligën më 12 qershor, nëse plotësohen kushtet e sigurisë dhe rastet me koronavirus nuk rriten.
Klubet e Premierligës do të takohen gjatë kësaj jave për të biseduar rreth planit për zhvillimin e ndeshjeve në terrene neutrale, i cili po kundërshtohet nga disa prej tyre.
Por liga elitare angleze po bën trysni për rifillimin e sezonit dhe planifikon rifillimin e stërvitjeve nga e hëna e ardhshme si pjesë e një periudhe katër javore para se të rifillon sezoni më 12 apo 13 qershor.
Masat do të jenë të rrepta për mbajtën e higjienës dhe mbajtës së distancës në qendrat stërvitore dhe ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve në stadiume, me vetëm 300 njerëz të pranishëm.