Edinson Kavani në fund të sezonit do të jetë një futbollistë i lirë, pasi të njëjtit do ti përfundojë kontrata me Paris Sezn Zhermenin, pjesë e së cilës skuadër është që nga vera e vitit 2013-të.
Edhe pse në moshë 33-vjeçare, Kavani nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe dëshira e tij është që të luaj ende në nivele të larta. Ai një gjë të tillë ua ka konfirmuar edhe menaxherëve të tij, duke ju bërë me dije se preferon të rikthehet në Itali.
Kjo ka bërë që përfaqësuesit e sulmuesit uruguaian të kontaktojnë menjëherë me dyshen e merkatos së Interit, Marotta-Ausilio, duke ua ofruar atyre klientin e tyre për dy sezonet në vijim.
Gjithashtu mësohet se ideja është vlerësuar edhe nga “zikaltrit”, që do të kenë të pamundur arritjen te Olivie Zhiru dhe me largimin e mundshëm të Lautaro Martinezit, do të mbeteshin vetëm me Romelu Lukakun në sulm.
Edhe Konte vlerëson Kavanin si sulmues, pasi uruguaiani është një futbollist që mund të luajë si në vendin e Lukakut, ashtu edhe në krah të belgut, duke qenë se di të dalë nga zona dhe të krijojë hapësira për të tjerët.
Momentalisht problem i vetëm mbetet paga e lartë që Kavani përfiton te PSZH-ja, rreth 10 milionë euro në sezon, pasi te Interi nuk janë gati t’i japin më shumë se 13 milionë euro për dy sezone, ndaj do të jetë e nevojshme një ulje e pretendimeve të uruguaianit, i cili me fanellën e “parisienëve” në 301 ndeshje ka regjistruar 200 gola dhe 43 asistime.
“Serie A” për Kavanin nuk është një kampionat i panjohur, duke pasur parasysh se 33-vjeçari uruguaian kishte luajtur me Palermon dhe Napolin. Ai në elitën e futbollit italian numëron 112 gola në 213 ndeshje.