Mbrojtësi i majtë i Përfaqësueses së Kosovës, Leart Paqarada, në edicionin e ri të futbollit mund të jetë pjesë e skuadrës së njohur gjermane të Verder Bremen, aty ku luan edhe Milot Rashica.
Lajmin e ka bërë të ditur “90min.de”, që shkruan se Paqarada është në listën e futbollistëve për të cilët po interesohen drejtuesit e skuadrës nga Bremeni.
Mbrojtësi 25-vjeçar aktualisht është pjesë e skuadrës së Sandhausen që garon në Bundesliga II, ndërsa hapat e parë si futbollist i kishte bërë pikërisht te Verder Bremeni, para se të kalonte te Bajer Leverkuseni II, e më pas te Sandhausen, pjesë e së cilës është nga vera e vitit 2014-të.
Përveç kësaj, Learti ka luajtur edhe për Kombëtaren e Gjermanisë U16 dhe U17, pastaj për Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa që nga viti 2014 është anëtar i Përfaqësueses së Kosovës.