Hixhret Rushiti, talenti shkupjan që premton shumë (VIDEO)

Pandemia “Covid 19” ka ndaluar gjithçka, përfshirë këtu edhe futbollin, mirëpo në asnjë mënyrë nuk mund të ndalojë ëndërrat dhe dëshirën për punë të talentëve të rinj, shkruan “infOSport.mk”.

Një ndër talentët që ëndërron majat e futbollit europian, është edhe shkupjani Hixhret Rushiti, që mbron ngjyrat e Vardarit.

Bëhet fjalë për një talent vetëm 19-vjeçar, i cili  luan si sulmues i dy krahëve, ndërsa para “infOSport.mk” zbuloi shumë detaje, duke filluar që nga hapat e parë, e deri te synimet e tij.

Karriera e tij kishte nisur nëpër rrugët e Shkupit, duke luajtur me shokë, ndërsa klubi i parë ku i bëri hapat e parë ishte Vardari, pjesë e së cilës është edhe sot. “Fillimisht kam nisur me shokët në rrugë të luaj futboll që kur isha 5 vjeç, që më pas në moshën 10-vjeçare të kalojë në rradhët e Vardarit, ku isha i skenuar nga trajneri Pavel Nedelkovski. Pikërisht këtu mora hapat e para të futbollit, ku duhet pranuar se kisha shumë vështirësi në fillim, pasi nuk flisja mirë gjuhën maqedonase, ashtu që i jam shumë falenderues trajnerit tim që më ndihmoi, ndërsa gjithashtu edhe bashkëlojtarëve të mi. Aty kalova 2 vite, pastaj në moshën 12-vjeçare me vendimin e klubit u transferova tek shkolla e futbollit ‘Forca’, aty ku për trajner kisha Jovçe Xhipunov. Te kjo skuadër qëndrova rreth 3 4 vite, ndërsa vlen të theksohet se nga kjo shkollë kanë dalur shumë talenta, siç janë Elif Elmas, Darko Çurlinov, Enis Fazlagiç, Kostadin Çeshmexhiev, Jana Çubrinoska, etj. Pas kësaj periudhe të kaluar te Forca, u riktheva sërish te Vardari, aty ku i kam kaluar të gjitha kategoritë, ndërsa aktualisht jam pjesë e ekipit U19” – u shpreh Hixhret Rushiti, i cili foli edhe për situatën aktuale të shkaktuar nga pandemia “Covid 19”, e ku si shumica e sportistëve, edhe ai po stërvitet individualisht në kushte shtëpiake.

“Është shumë vështirë për mua të jem larg fushës së futbollit, por ia dal disi, stërvitem çdo ditë bashkë me shokun tim më të afërt, ku kam bërë një plan- program që të mbaj formën më të mirë të mundshme”.

Si shumica e futbollistëve të rinj, edhe Hixhreti ka ëndërr Premierligën angleze.

“Synimi im është që të arrijë të luaj në ligën më të vështirë të futbollit, siç është Premierliga angleze. Që kur isha 6 vjeç kam ndjekur ndeshjet e Premierligës dhe është ëndërra ime të luaj një ditë atje”.

Megjithatë ëndërrat e tij nuk përfundojnë këtu. Dëshira e tij është që një ditë të jetë në gjendje të ndihmojë edhe nevojtarët, duke ndërtuar shkolla, spitale e xhami.

E lidhur me zemërgjërësinë, edukatën dhe punën e palodhshme që bënë ky talent gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve, “infOSport.mk”, morri edhe prononcimin e njërit prej trajnerëve të tij, Filip Despotovski.

“Hixho në rend të parë është një djalë shumë i edukuar dhe shumë i mençur. Sa u përket karakteristikave futbollistike, mund të them se është një super lojtar, i cili punon shumë dhe gjithnjë dëshiron të mësojë gjëra të reja. Mund të them se para tij është një e ardhme e ndritur”.

Hixhreti para nesh zbuloi edhe futbollistët që pëlqen, qoftë ato shqiptarë, apo edhe ato ndërkombëtarë.

“Futbollisti im i pëlqyer nga ato shqiptarë, është Milot Rashica, ndërsa futbollisti që pëlqej më së shumti është Kristiano Ronaldo. Që nga mosha ime e re atë mund të them se kam ndjekur në çdo ndeshje, ndërsa poashtu më pëlqen edhe Mohamed Sallah”.

Mirëpo për të arritur sukseset e tyre, Hixhreti e dinë se duhet mjaft punë dhe mund, ashtu që dëshira e tij është të dëshmojë veten fillimisht te Vardari, për të konkurruar për ekipin e parë.

“Do punoj shumë për të arritur deri në ekipin e parë të Vardarit, por gjithçka do pasqyrohet vetëm pasi të kalojmë karantinën dhe të shohim edhe vendimet e klubit ku aktualisht jam. Nëse ata besojnë tek unë, me siguri se do të luftoja për një vend në formacionin e ekipit të parë, e më pas kuptohet edhe për ndonjë transferim jashtë vendit”.

Edhe pse i ri në moshë, interesimi për të nuk mungon edhe jashtë Maqedonisë, mirëpo Hixhreti thotë se një gjë e tillë do të ndodh vetëm në bashkëpunim me klubin e tij aktual.

“Ka pasur dhe ka ende interesim nga disa menaxherë për të kaluar tek disa klube këtu në Maqedoni, por nuk kam pranuar. Gjithashtu ka interesim edhe nga disa klube nga Gjermania, me të cilët janë në bisedime, mirëpo do shohim edhe nga vendimet e klubit të Vardarit” – përfundoi intervistën e tij Hixhret Rushiti, i cili vazhdon me stërvitje individuale në këtë kohë pandemie, që shpresojmë të kalojë sa më shpejtë dhe ti kthehemi normalitetit.

 

Leave a Reply