Gjermania është vendi i cili e ka marrë me seriozisht idenë e kthimit në fushën e lojës për të mbyllur kampionatet profesioniste në vend.
Skuadrat në Gjermani prej javësh janë stërvitur individualisht e tani edhe në grup, pasi synimi është që të zbresin në fushë më 9 maj.
Por shteti po tregohet shumë i kujdesshëm dhe sipas një dokumenti të publikuar nga mediat gjermane, ka kërkuar që të respektohen kushte rigoroze e çdo masë ndihmëse, mes të cilave edhe maskat.
Ministria e Punës ka përgatitur një dokument për rregullat e sigurisë duke rekomanduar që lojtarët të mbajnë maska edhe gjatë ndeshjeve për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Maska duhet të jetë e ndërtuar në mënyrë të tillë që “të mos rrëshqasë nga fytyra në rast të sprinteve, goditjeve me kokë dhe përplasjeve të lojës” dhe nëse bie në tokë, gjyqtari do të ishte i detyruar të ndalte lojën.
Një zëdhënës i stafit mjekësor të kombëtares gjermane nuk ishte dakord me idenë.
“Nëse lojtarëve do t’u imponohet kjo, mendoj se duhet refuzuar”, tha ai.
Edhe drejtori sportiv i Lajpcigut, Markus Kroshe, foli rreth kësaj teme.
“Është një ide interesante, por me maskë mund të bësh një sprint, jo më shumë”, tha ai.
Vendimi përfundimtar do të merret të enjten, më 30 prill, kur do të zhvillohet mbledhja që do të përcaktojë kushtet e rifillimit të Bundesligës.