Ish-kampioni i padiskutueshëm i botës në kategorinë e peshave të rënda në boks, Majk Tajson, është duke menduar rikthimin në ring.
Legjenda amerikane e boksit zhvilloi 58 duele gjatë karrierës së tij, duke regjistruar 50 fitore (44 me nokaut), 6 humbje, teksa 2 përballje kishte mbyllur me barazim.
Ai mban rekordin si kampioni më i ri i botës në peshat e rënda (20 vjeçar në vitin 1986), ndërsa u pensionua përgjithmonë nga boksi në vitin 2005 pasi pësoi humbje nga kundërshtarë që nuk ishin të nivelit të tij.
53-vjeçari mendon të përgatitet fizikisht për t’u ndeshur sërish në meçe që do të zgjasin tre ose katër raunde e që nuk do të jenë të nivelit profesional.
“Mendoj se do t’i zhvilloj disa meçe përgatitore dhe do të kthehem në formë”, ka thënë Tajson gjatë një bashkëbisedimi me reperin T.I. duke shtuar se përfitimet do të shkonin për qëllime bamirëse.
Duelet e karakterit joprofesional mund të jenë fitimprurëse në kohën moderne. Natën e Vitit të Ri 2018, Flojd Majvedher përfitoi 9 milionë dollarë kur e nokautoi tri herë brenda një raundi kikbokserin japonez, Tenshin Nasukava.