Titulli i kampionit të Holandës në futboll do të mbetet vakant, ndërkohë që kampionati është ndërprerë dhe nuk do të vazhdojë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Ajaksi dhe AZ Alkmaari kishin pikë të barabarta në krye të elitës së futbollit holandez, por asnjëra prej këtyre skuadrave nuk do të shpallet kampione.
Gjithashtu nuk do të ketë promovime të reja në Ligën e Parë holandeze, por gjithashtu nuk do të ketë edhe largime.
Kështu është vendosur gjatë ditës së sotme, me ç’rast skuadra e Kambur, edhe pse kishte 4 pikë më shumë se skuadra e dytë në kategorinë e dytë, De Grafshap, nuk do të realizojë dot ëndërrën për të luajtur në mesin e më të mirëve.
Kjo i shkon për shtati dy skuadrave të fundit në elitën e futbollit holandez, ADO Den Haag dhe RKC Walwijk do të mbesin në elitë, ndonëse është pritur të largohen nga “Eredivisie”.
Sipas “goal.com”, Eredivisie ka përfunduar edicionin pas vendimit të kryeministrit të Holandës që të gjitha ngjarjet publike të anulohen deri në shtator. Tabela aktuale është finale, por pa shpallur Ajaksin kampion, që për shkak gol-averazhit më të mirë mban pozitën e parë në tabelën e klasifikimit.
Renditja aktuale pritet të vendos për dalje në Evropë të skuadrave holandeze për sezonin 2020/2021.