Veb faqja e specializuar për futboll “MacedonianFootball”, ka bërë një përzgjedhje ideale me futbollistë që kanë origjinë nga Maqedonia, por që asnjëherë në karrierën e tyre nuk kishin veshur fanellën e përfaqësueses futbollistike të vendit tonë.
Në 11-të emrat e përzgjedhur nga kjo faqe, bëjnë pjesë edhe 3 futbollistë shqiptarë, që të tre ende aktiv.
Fjala është për tetovarin Blerim Xhemailin, aktualisht futbollistë i skuadrës kineze të Shenzhen F.C, si dhe dy futbollistët me origjinë nga Gostivari, Admir Mehmedin (Volfsburg) dhe Shkodran Mustafin (Arsenal).
Xhemaili dhe Memhedi me mjaft sukses luajnë për përfaqësuesen e Zvicrës, teksa Mustafi zgjodhi të luaj për Kombëtaren e Gjermanisë, me të cilën në vitin 2014-të u shpall kampion Bote, duke mundur Argjentinën në finalen e madhe.
Përveç kësaj treshe, pjesë e këtij formacioni, që asnjëherë nuk luajti me përfaqësuesen e Maqedonisë, janë edhe Vlada Avramov, ish portier në “Serie A”, aktualisht trajner i portierëve te Breshia. Ai zgjodhi të luaj për Serbinë, njëjtë sikurse edhe Nemanja Matiq, Aleksandar Ignjovski dhe Veljko Paunoviç.
Ndër emrat tjerë janë edhe Mile Sterjovski dhe Sasha Ognenovski që zgjodhën të luajnë për Australinë, pastaj Marek Jankullovski që zgjodhi të luaj për Çekinë dhe Jovan Kirovski që mbronte ngjyrat e SHBA-ve.