Kjo javë pritet të jetë vendimtare për fatet e çdo kampionati në Europë, përfshirë këtu edhe Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë si dhe gjitha garat që janë nën ëmbrellën e FFM-së.
UEFA gjatë ditës së sotme do të thërrasë në një mbledhje të jashtëzakonshme Komitetin Ekzekutiv dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në lidhje me impaktin e shkaktuar nga pandemia “Covid-19” në futbollin europian.
“Komiteti Ekzekutiv do të mblidhet më datë 23 prill dhe kjo mbledhje do të jetë menjëherë pas sesionit informues me sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-s që do të zhvillohet sot më 21 prill. Takimi do të përqendrohet te planet për kompeticionet vendëse dhe kompeticionet europiane”.
UEFA ka vendosur paraprakisht që federatat duhet t’i kenë mbyllur kampionatet kombëtare përpara datës 3 gusht. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë vetëm pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.