Sandro Rosell, në një intervistë për “El Mundo Deportivon”, ka folur për situatën delikate të cilën po përjeton ish futbollisti i Barcelonës, Ronaldinjo, i cili aktualishr ndodhet në Paraguai në arrest shtëpie, pasi kaloi më shumë se një muaj në burg me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Ish-presidenti i Barcelonës nuk ka dyshim se “Ronaldinjo nuk e di ende pse e kanë arrestuar. Dikush e mashtroi dhe nuk i shpjegoi të vërtetën. Ai është vetë futbolli dhe buzëqeshja. Shpresoj që ai po vazhdon të mendojë për futbollin, por mbi gjithçka që ai vazhdon të buzëqeshë.”
Pak njerëz në botën e futbollit e njohin më mirë Ronaldinjon se Rosell. Edhe Jordi Pujol, presidenti i atëhershëm i “Generalitat de Catalunya”, i kërkoi Rosellit të nënshkruante me Ronaldinjon, për të cilin atë kohë interesohej edhe Mançester Junajtedi.
“Ishte thelbësore ta sillnim Ronaldinjon për të ngritur moralin e katalunasve,” tha Pujol.
Sandro Rosell mori vendimin për të nënshkruar me Ronaldinjon për të ndryshuar dinamikën sportive të klubit.
Ronaldinjo ndryshoi jo vetëm futbollin, por edhe shpirtin e tifozëve të Barcelonës.
Ronaldinjo nënshkroi për 25 milion euro nga Paris Sen Zhermeni. Që në prezantim nxiti çmendurinë në radhët e tifozëve “katalunas”.
Me gëzimin dhe magjinë e tij, Ronaldinjo ndryshoi historinë e klubit, duke e rikthyer Barcelonën në maje të futbollit, me suksesin në Ligën e Kampionëve në Paris, në vitin 2006.
Braziliani mbylli karrierën e tij te Barcelona pas pesë sezoneve me 207 ndeshje, 94 gola dhe 71 asistime. Fitoi dy tituj kampion në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe dy Superkupa, pa harruar më të rëndësishmin individual për të, “Topin e Artë”.
Ronaldinjo ishte gjithashtu shumë i rëndësishëm në rritjen e Leo Messit si futbollist.