Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 në të gjithë botën ka sjellë bllokadë aktivitetesh gati në çdo sferë të jetës shoqërore. Kjo situatë në mënyrë të pashmangshme e ka prekur edhe sportin, ndërsa në veçanti, futbollin.
Klubet e futbollit anekënd botës, përfshirë dhe klubet e mëdha europiane, u detyruan ta shqyrtojnë këtë situatë krize në kërkim të masave mbrojtëse për të ruajtur stabilitetin e tyre ekonomik. Janë për çdo lëvdatë klubet që arrijnë të gjejnë model adekuat menaxhimi për ta shpëtuar futbollin nga kjo krizë e pashembullt, që s’mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë.
Tashmë është e ditur se masa të këtilla janë ndërmarrë te shumë klube nga e gjithë Evropa, ndërsa kjo iniciativë është konfirmuar publikisht edhe nga lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi, i cili ka deklaruar që pagat e lojtarëve të Barcelonës do të shkurtohen për 70%, përgjat kësaj gjendje emergjente.
Këtë rrugë, krejtësisht të arsyeshme, siç duket po e ndjek edhe KF Shkëndija e Tetovës.
Siç merret vesh, edhe te KF Shkëndija mund të ndërmerren masa optimizuese duke përfshirë reduktimin e pagave të lojtarëve titullarë. Sipas informacionit që kemi, edhe te klubi nga Tetova këto masa do të aplikohen për aq kohë sa do të zgjat situata e pandemisë e të kthehet futbolli në normalitet.
Besohet se masat do të zgjasin deri në muajin Qershor, i caktuar si afat i fundit për rifillimin e kampionateve kombëtare edhe pse vetë organizatat ndërkombëtare të futbollit si FIFA dhe UEFA nuk e kanë të lehtë menaxhimin e kësaj situate në drejtim të përcaktimit të saktë të një date kur mund të vazhdojë të luhet futbolli.