Sponzori gjeneral i Futsal Shkupit, që më parë luante rolin e njëjtë edhe te klubi i madh i FC Shkupit, “ATS Group” ka bërë një gjest të madh human në këtë kohë krize, duke dhuruar plotë 20.000 teste dhe 500.000 maska mbrojtëse kundër “Covid 19” për Ministrinë e Shëndetësisë.
Vërtetë një gjest shumë human dhe për tu përshëndetur nga ana e numrit 1 të “ATS Group”, Shefshet Demiri, i cili në skenën sportive doli dy vite më parë, kur vendosi të bëhet sponzori kryesor i FC Shkupit, skuadër kjo që në fund të sezonit falë investimeve të tij, arriti që pas shumë viteve të rikthehet në arenën ndërkombëtare, duke siguruar një vend për në ndeshjet eliminatore të Liga Europa.
Vitin e kaluar ai qëndroi shumë pranë klubit të Futsal Shkupit, skuadër kjo që njëherit shkruajti edhe historinë e saj më të lavdishme, duke fituar fillimisht të dy titujt në futsalin vendor, që më pas të sigurojë një vend edhe për në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve, pasi me sukses kaloi raundin parakualifikues këtu në Shkup.
Kujtojmë “ATS Group” është një kompani e suksesshme që merret me prodhimin e pajisjeve mbrojtëse ushtarake.