“Serie A” është në hall të madh lidhur me datën për rikthimin në fushat e blerta. Kampionati i futbollit italian vazhdon të jetë i pezulluar, njësoj sikur edhe kampionatet tjera evropiane.
Sot, në një video-konferencë të mbajtur nga Lega Serie A, është marrë një tjetër vendim i rëndësishëm, duke u anashkaluar data e caktuar fillimisht për rikthimin në fusha të blerta.
“Takimi i asamblesë së Lega Serie A, u mbajt këtë mbrëmje, me të gjitha 20 klubet prezente, përmes një video-konference”, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.
“Pozicioni që kemi nga bisedimet me UEFA, ECA dhe Ligat Evropiane, i mbajtur dje, u paraqit sot në takim”, qartësohet tutje.
“Me dëshirën që të kompletojmë Serie A dhe Kupën e Italisë, Lega Serie A do të shqyrtojë rikthimin në fushën e blertë vetëm kur kushtet shëndetësore e lejojnë këtë, duke iu përmbajtur rregullave të qeverisë, dhe duke pasur primare ruajtjen e shëndetit të lojtarëve dhe gjithë të përfshirëve”, – thuhet tutje në njoftimin e Lega Serie A.
“Lega Serie A do të vazhdojë të analizoj impaktin dhe konsekuencat e Covid19 si në aspektin mjekësor, ekonomik, rregullativ e sportiv, për të jgitha klubet e Serie A, në ditët në vazhdim”, thotë fundi i njoftimit.
Kështu, “Serie A” do të vazhdojë të jetë në pushim, deri në kohë të pacaktuar, derisa kushtet të përmirësohen.