Ardhja e Ardian Cuculit te Drita ka shtuar sigurinë në repartin e mbrojtjes te skuadra gjilanase dhe me të drejtë tifozët ‘bardhekaltër’ e quajnë atë si “Ministër i Mbrojtjes”.
32 vjeçari nga Kërçova u bë shpejtë pjesë e zemrave të “Intelektualëve” falë golit të realizuar në derbin lokal të 29 shtatorit të vitit të kaluar ndaj Gjilanit, por edhe falë lojës së tij në vijën e fundit.
Në një intervistë dhënë gazetës kosovare “Sheshi”, ish-futbollisti i Shkëndijës ka folur për periudhën e ‘karantimit’ në të cilën ndodhet sikurse gjithë futbollistët e tjerë, aventurën e re tek Drita, objektivin me këtë skuadër dhe të ardhmen e tij.
“Izolimin nuk e kishim menduar fare, por ja që erdhi. Është një situatë e pakëndshme, por urdhërin e dhënë nga autoritetet për të qëndruar në shtëpi e morrëm seriozisht dhe është një mundësi e mirë për ne sportistët të qendrojme pranë familjeve,por në anën tjetër është keq sepse nuk jemi mësuar pa ndeshje në fundjavë” – u shpreh fillimisht Cuculi.
Tifozët e skuadrës së Ditës mbrojtësit kërçovarë i kanë vënë epitetin e “Ministrit të Mbrojtjes”.
“Ndjesia është e mirë, mirëpo Ardiani nuk është i vetëm në klub. Une pa bashkëlojtarët e tjerë nuk mundem të bëj asgjë, merita është e lojtarëve që mua tifozët më etiketojnë si të tillë. Është normale që tifozët krijojne të tilla epitetesh për lojtarët e tyre, gjithsesi unë jam një prej shumë lojtarëve të ekipit, do të thotë jam i njejtë” – deklaroi Cuculi për “GazetaSheshi”, i cili gjithashtu foli edhe për objektivat e Dritës këtë edicion në Superligën e Kosovës: “Objektivi im personal është që të bej sa më mirë me Dritën, t’i ndihmoj klubit të arrijë objektivat që ka dhe normal që une të jap kontribut maksimal, të tjerat nuk kanë shumë rëndësi”.
Mbrojtja e Dritës këtë edicion është njëra ndër më të mirat në Superligë. ‘Bardhekaltërit’ kanë pranuar 17 gola në 22 ndeshje, duke u renditur në pozitën e tretë sa i përket skuadrave që kanë pranuar më së paku gola.
Gjithashtu skuadra gjilanase ka statistika të mira sa i përket ndeshjeve në të cilat nuk ka pranuar gol. Në dhjetë ndeshje gjilanasit kanë arritur ta ruajnë portën e paprekur, kjo falë edhe “Ministrit të ri të Mbrojtjes”, Ardian Cuculi.