Bota e futbollit ka ndaluar thuajse gjithkund, por jo edhe në Bjellorusi, aty ku jeta vazhdon normalisht dhe futbolli po ashtu, pavarësisht kërcënimit nga koronavirusi. Bjellorusët kanë vendosur që të injorojnë rrezikun dhe vazhdojnë jetën normalisht sipas planit të tyre, ku përfshihet edhe futbolli, pjesë e të cilit janë edhe dy futbollistët shqiptarë, Elis Bakaj dhe Azdren Llullaku.
Që të dy kanë zbritur përsëri sot në fushën e lojës me skuadrat e tyre, duke ndihmuar për të arritur deri tek fitoret.
Elis Bakaj me ekipin e tij Dinamo Brest si mysfair mundi ekipin e Slutsk me rezultatin minimal 1:0, ndërsa futbollisti shqiptarë kontribuoi me asist në golin e shënuar nga Artem Milevski në minutën e 19-të.
Po të njëjtin rol kishte edhe Azdren Llullaku në fitoren 2:0 të skuadrës së tij Soligorsk në udhëtim ndaj Gorodeja. Llullaku asistoi në golin e dytë të shënuar nga Dmitriy Podstrelov një minutë para fundit të takimit, teksa autorë i golit të parë ishte Diasamidze në minutën e 56-të. Vlen të theksohet se skuadra e Soligorsk gjatë pjesës së parë kishte humbur një penalti me anë të Kendysh.
Ishte kjo vetëm java e dytë në elitën e futbollit bjellorus, në të cilën skuadrat e futbollistëve shqiptarë shënuan fitoret e tyre të para. Brest e Bakajt ka 4 pikë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e katërt, teksa Soligorsk e Llullakur me 3 pikë mban pozitën e gjashtë.