“Serie A” do të ketë kampion këtë edicion. Një gjë të tillë ka konfirmuar vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, ndonëse nuk ka ende shenja për rifillim të garës në kampionatin italian.
Gravina gjithnjë ka thënë se edicioni 2019\2020 do të kompletohet, përkundër faktit se përhapja e koronavirusit në Itali e lë të hapur mundësinë e anulimit të edicionit.
“Është një plan që për ne është me prioritet”, – ka thënë Gravina për “Sky Sport Italia”.
“Të gjithë do të jemi të lumtur të përfundojmë edicionin në fushë. Ne jemi në kontakt me FIFA-n për kontratat e lojtarëve, nëse duhet të vazhdojmë përtej 30 qershorit. Duhet të gjejmë një zgjidhje dhe ideale do të ishte të luajmë deri më 30 korrik. Ne duhet të respektojmë rregulloret dhe t’iu përmbahemi këshillave që vijnë nga zyrat e drejtuesve politikë dhe shkencorë”.
Edhe në Angli po rriten zërat për anulim të edicionit të Premierligës. Derisa në Angli anulimi po vlerësohet se do t’i kushtojë Liverpullit me titull, në Itali pritet të shpallet kampioni.
“Nëse nuk mund të luajmë, ne prapë do të donim të ruajmë vlerën e garës sportive që është zhvilluar në fushë. Po flasim për atë se ku duhet të shkoj ‘Scudetto’ por i takon Këshillit Federal të vendosë. Ne ende duhet të vendosim për ekipet e edicionit të ardhshëm, për garat evropiane dhe për ekipet që do të promovohen e do të largohen”, ka thënë Gravina.
Në Itali të premten është shënuar numri bindshëm më i madh i të vdekurve nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit në Itali kanë vdekur 969 persona nga pasojat e koronavirusit.