Futbollisti i kombëtares shqiptare, Eros Grezda, pritet të humbasë gjysmën e rrogës në Kroaci për shkak të koronavirusit. Klubi i tij, Osijeku, deklaroi se do të ulë shpenzimet pas ndërprerjes së kampionatit.
Mediat kroate njoftojnë se Osijeku bëhet i pari klub i elitës që lajmëron uljen e rrogave për lojtarët e tij në masën deri në 50 për qind, nëse kampionatin nuk rinis.
Kësaj i bëjnë jehonë mediat skoceze, të cilat e quajnë vendimin e Osijekut si një problem për Gllazgou Renxhersin, që mesa duket do të duhet të plotësojë rrogën për gjakovarin.
Gjithsesi, Koronavirusi ka edhe rrezikun për shëndetin dhe jetën, diçka që padyshim ndikon te Grezda, ndërsa në Kroaci numri i të sëmurëve vazhdon të rritet dhe ka arritur gati në 400.
Përveç ndikimit të epidemisë, Grezda ka pasur edhe një shqetësim tjetër këto ditë dhe pikërisht ai i shkaktuar nga tërmeti, që tronditi Zagrebin, por edhe gjithë Kroacinë.