Pas ndalesës së dy kompeticioneve më të rëndësishme europiane të futbollit në nivel klubesh, Ligës së Kampionëve dhe Ligës Europa, tanimë kanë ndaluar edhe dy kompeticionet e rëndësishme të Amerikës Jugore, Copa Libertadores dhe Copa Sudamericana (ekuivalentë me LK dhe LE).
Njoftimi është bërë nëpërmjet një komunikate nga “Conmebol” (Konfederata e Amerikës së Jugut).
“Conmebol është i angazhuar për të parandaluar COVID-19, tashmë në rrezik zgjerimi, dhe në mbrojtjen e lojtarëve, stafeve teknike, delegatëve, gjyqtarëve, zyrtarëve, shtypit dhe tifozëve, ndaj mori vendimin për pezullimin e ndeshjeve të planifikuara më parë, fillimisht deri më 5 maj 2020.
Ne kërkojmë nga klubet të bëjnë kujdesin e duhur për të shmangur përhapjen e virusit dhe të zbatojnë protokollet e parandalimit të sugjeruar nga autoritetet kompetente. Conmebol do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën me autoritetet kompetente dhe do të mbajë kontakte të përhershme me komunitetin e futbollit të Amerikës së Jugut gjatë kësaj periudhe të vështirë” – thuhet në njoftimin e “Conmebol”.