Ish futbollisti i Kombëtares shpresa të Shqipërisë, Valdrin Mustafa, që tashmë mbron ngjyrat e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit. Mustafa është një futbollistë i Hanoverit, ndërsa aktualisht ai ndodhet në karantinë me gjithë familjen e tij në Sarbruken.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar futbollistin e Hanoverit për të mësuar gjendjen e tij shëndetësore. Teksa na tregon dhimbjet që ka pasur së fundmi, Mustafa i qetëson tifozët duke thënë se gjendja e tij e përgjithshme është e mirë dhe e qendrueshme.
“Po më ka dhembur koka, gjoksi dhe fyti. Por gjithsesi gjendja e përgjithshme është e mirë. E kam bërë testin të shtunën dhe sot në mëngjes na kanë dalë rezultatet. Aty e mësova që isha i prekur nga Koronavirusi. Dhimbjet në fakt më kanë nisur që dje. Qendroni në shtëpi, pastroni sa më shumë duart, mos u bëni merak, në duart e Zotit jemi të gjithë”, ka thënë Mustafa.