Rabotniçki është ringjallur me trajnerin e ri, Ratko Dostaniq, i cili drejtimin e skuadrës shkupjane e morri në prag të stinorit pranveror, njofton “infOSport.mk”.
Nën drejtimin e strategut serb, “romantikët” nuk njohin termin disfatë, teksa në 6 ndeshje zyrtare (5 në kampionat dhe 1 në Kupë) kanë regjistruar 4 fitore dhe 2 barazime.
Për më tepër në këto 6 ndeshje, në 3 prej tyre janë përballur me Shkëndijën dhe Vardarin, dy skuadrat më të mira në futbollin vendor.
Me Shkëndijën fillimisht barazuan në ndeshjen e 1/8 së finales së kupës (2:2), derisa në ndeshjen e fundit kampionale arritën të shënojnë fitore minimale 1:0 midis Tetove.
Sa i përket takimit me Vardarin, liderin aktual, ata në rolin e mysafirit barazuan pa gola.
Gjithë këto rezultate bënë që Rabotniçki të largohet nga pozita e fundit në renditje, dhe aktualisht pas 23 xhirove renditet në pozitën e 8-të me 28 pikë të tubuara.
Mirëpo nëse llogarisim vetëm pikët e fituara në stinorin pranveror, gjithsej 13 pikë, Rabotniçki del të jetë skuadra e parë në tabelë, duke lënë pas vetes Renovën e Bujar Islamit.
Kujtojmë aktualisht futbolli ynë vendor është në pushim, pas vendimit të marrë nga Qeveria, që të ndërpriten të gjitha aktivitetet sportive në vend me qëllim parandalimin e virusit COVID-19, që është përhapur edhe në shtetin tonë.