Tifozët e Mançester Sitit kanë vendosur ti përgjigjen zëvendës presidentes të Uest Hamit, Karren Brady, e cila kishte propozuar të zhvlerësohet edicioni në Premierligë dhe të mos merret në konsideratë renditja aktuale, në të cilën Liverpulli po avanson bindshëm.
Brady deklaroi gjatë ditës së djeshme (13 mars) se kampionati duhet të zhvlerësohet dhe nuk ka kuptim të rifillojë sërish, pasi që muajt e ardhshëm janë të mbushur ma aktivitete të tjera, ndaj edhe ky sezon i Premierligës nuk duhet të llogaritet.
Përveç Premierligës, gjithashtu edhe kampionatet e tjera në Europë i kanë ndërprerë aktivitetet e tyre, së bashku me Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës.
Në rrezik për tu zhvilluar është edhe Kampionati Evropian “EURO 2020”. Sidoqoftë, UEFA do të zhvillojë një video-konferencë të martën për të gjithë anëtarët e tyre për të diskutuar se si të vazhdohet me këtë sezon.
Një zgjidhje e spekuluar do të ishte të anuloheshin kampionatet aktuale, veçanërisht nëse ndeshjet nuk do të fillonin brenda tre javësh, një zgjidhje kjo e cila u ndihmon shumë klubeve të cilat nuk janë brenda objektivave.
Kështu zëvendës presidentja e Uest Hamit, Karren Brady, e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të kërkuar anulimin e këtij edicioni, teksa u prononcua për “The Sun”.
“Suspendimi apo anulimi i ligës do të ishte zgjidhja më e mirë”, – shtoi ndër të tjerash Brady.
Natyrisht se reagimet ishin të shumta, sidomos nga ata tifoz të Liverpullit, të cilët janë duke pritur më shumë se 30 vite për këtë titull.
Reagime kishte edhe nga rivalët e Uest Hamit që janë duke luftuar në garën për mbijetesë. Por, e çuditshme ishte fakti se si tifozët e Mançester Sitit, i dolën në mbrojtje ekipit të Liverpullit, duke thënë qartazi se kjo skuadër e meriton epitetin e ekipit kampion për këtë edicion në Premierligë.