Koronaviorusi i përhapur në vendin tonë ka bërë që ndeshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve të luhet pa tifoz.
Ndeshja në fjalë është me datë 26 mars, mirëpo vendimi i djeshëm i Qeverisë që në 30 ditët e ardhshme çdo aktivitet sportiv të zhvillohet pa praninë e publikut, e bëri të qartë se edhe ndeshja historike për këto dy përfaqësuese do të luhet pa lojtarin e 12-të.
Një vendim i këtillë nuk i ka pëlqyer aspak edhe seleksionuesit të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, i cili mendon se ndeshja duhet të shtyhet, pasi në situatën aktuale pa shikues, do të luhej në rrethana absurde.
“Do të jetë një ndeshje historike ndaj Kosovës. Qeveria ka marrë masa dhe ka vendosur që të luhet me dyer të mbyllura për shkak të emergjencës së koronavirus. Por nuk është vetëm kaq, ka një urdhër nga qeveria që detyron 14 ditë karantinë për ata që arrijnë nga Italia dhe kjo vlen edhe për lojtarët. Sigurisht, nuk mund t’i imponojmë Elmasit, Pandevit e Nestervoskit të qëndrojnë në izolim për 14 ditë për të luajtur këtë ndeshje, ndaj nuk do të mund të luanin”, – ka deklaruar Angelovski për mediat maqedonase.
Sipas tij, më mirë do ishte që ndeshja të mos luhej gjatë këtij muaji dhe e njëjta të shtyhej për më andej. Një gjë të tillë Angellovski thotë se e kanë diskutuar edhe me federatën.
“Me Federatën kemi kërkuar ta shtyjmë ose të anulohet sfida. Që kur u vendos pa tifozë nuk ka kuptim, çfarë kuptimi ka të luash edhe pa lojtarë? Përtej kësaj, edhe Kosova nuk është se favorizohet. Rrahmani, kapiteni i saj, nuk do të mund të luante në të njëjtën mënyrë”, tha Angellovski.