Koronavirusi po prek në çdo pjesë të Europës. Në Spanjë dhe Francë tashmë është vendosur që të gjitha ndeshjet futbollistike të luhen me dyer të mbyllura, kurse në Itali e Zvicër janë pezulluar për momentin të gjitha aktivitet sportive.
Siç dihet edhe një pjesë e takimeve të Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa do të luhen pa tifozë.
Ndërkohë takimi i fundit që konfirmohet se do të zhvillohet me dyer të mbyllura është ai mes gjermanëve të Bajernit të Munihut dhe Çelzit.
Një gjë të tillë ka pohuar gazetari i “Bild”, Christian Falk, i cili shkruan se është e konfirmuar që kjo ndeshje, të mërkurën e ardhshme (18 mars) do luhet pa praninë e publikut. Kujtojmë “bavarezët” në ndeshjen e parë kishin shënuar fitore 3:0 në “Stemford Brixh” dhe janë vetëm një hap larg kualifikimit për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Gjithsesi ka dhe një skenar tjetër, që sipas CAT Radio, UEFA po mendon pezullimin e tërësishëm për momentin të dy kompeticioneve më të rëndësishme europiane, Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa.
Mirëpo për një gjë të tillë eventuale, është vetë UEFA që së shpejti pritet të dalë me ndonjë vendim final.