Ndeshja e kthimit e 1/8 së finales në kuadër të Ligës së Kampionëve midis Barcelonës dhe Napolit, edhe pse fillimisht u mendua të luhej me tifozë dhe nisi shitja e biletave, e njëjta megjithatë do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Autoritetet vendore në Katalunjë, një ditë më parë bënë kërkesë zyrtare që kjo ndeshje të luhej pa tifozë, ndërsa e njëjta është pranuar edhe nga vetë klubi i Barcelonës.
Kështu, më 18 mars, Barcelona dhe Napoli do të luajnë në një “Kamp Nou
të zbrazët, ndërsa për ekipin e Setien vlen të përmendet se fitorja është detyrim, në rast se dëshirojnë të sigurojnë një vend për në ndeshjet çerekfinale.
Mbyllja e dyerve në këtë ndeshje dhe në shumë kampionate europiane vjen prej epidemisë që ka kaluar shumë shtete nga Coronavirusi. Numri i të prekurve sa vjen dhe rritet, ndërkohë që ka edhe shumë viktime, sidomos në Itali, vendi nga vjen edhe Napoli.
Kujtojmë ndeshja e parë midis Napolit dhe Barcelonës, e zhvilluar në “San Paolo”, ishte mbyllur me barazimin 1:1.