Skuadra e Atalantas ka regjistruar edhe fitoren e dytë ndaj Valencias në kuadër të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve, duke vazhduar në këtë mënyrë me plotë meritë për në fazën tjetër, njofton “infOSport.mk”.
Mbi të gjithë sonte në Mestaljan e zbrazët për shkak koronavirusit, ishte slloveni Josip Iliçiç, i cili shënoi të gjithë 4 golat në fitoren 4:3 të Atalantas ndaj Valencias.
Ndeshja nisi në mënyrë fantastike për mysafirët nga Bergamo e Italisë, të cilët në Spanjë udhëtonin pas fitores 4:1 në ndeshjen e parë në Milano.
Golin e parë Iliçiç e realizoi vetëm pas 3 minutave lojë, kur shënoi nga pika e bardhë.
Kevin Gameiro në minutën e 21-të solli simetri në rezultat, ndërkohë ka fundi i pjesës së parë Iliçiç sërish nga penaltia kaloi në epërsi Atalantan.
Vendasit barazuan shifrat në minutën e 51-të, kur Gameiro shënoi me kokë. Në minutën e 67-të Valencia për herë të parë në këtë ndeshje pa veten në avantazh falë golit të shënuar nga Feran Tores, i cili paraboloi portierin kundërshtarë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Mirëpo kjo epërsi e Valencias nuk zgjati shumë pasi Iliçiç në minutën e 71-të arriti që të barazojë rezultatin, duke shënuar golin e tretë personal në ato momente, derisa në minutën e 82-të shënoi edhe golin e katërt personal, duke vulosur edhe fitoren 4:3 të skuadrës së tij, e cila me plotë meritë do të luaj në çerekfinale pas dy fitoreve të arritura ndaj Valencias me rezultatin e përgjithshëm 8:4.