Jasir Asani dhe Fidan Aliti kanë lënë gjurmë në përballjen e tyre të parë në futbollin suedez, teksa sonte u përballën njëri kundër tjetrit në një ndeshje të Kupës së Suedisë, njofton “infOSport.mk”.
Të dy futbollistët shqiptarë arritën të gjejnë rrjetën në duelin mes AIK dhe Kalmar, por në fund ishte skuadra e shkupjanit, Jasir Asani që kaloi më tej në Kupë duke eliminuar skuadrën e Alitit, që ishte favorite para fillimit të takimit.
Kjo edhe për faktin se Kalmar vinte me avantazhin e dy pikëve në ndeshjen direkte në grup dhe i mjaftonte edhe një barazim për të kaluar turin.
Por në Stokholm dy golat e Ylatupa i dhanë një avantazh të rëndësishëm vendasve, ndërsa një tjetër i shënuar nga Jasir Asani në minutën e 79-të vetëm se vulosi fitoren e AIK-ut, duke shuar shpresat e skuadrës së Kalmar, që në një moment u rikthyen në lojë me golin e realizuar në minutën e 76-të nga ana e Fidan Alitit.
Falë kësaj fitore, AIK-u bashkë me Asanin kanë arritur të sigurojnë një vend në mesin e 8 skuadrave më të mira në Suedi.